Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për ndikimin e lartë të çmimeve të karburanteve në ekonominë e vendit, duke e cilësuar situatën si një “ndëshkim” për qytetarët.
Gjatë një takimi në selinë e PD-së, Berisha deklaroi se Shqipëria ka ndër çmimet më të larta të naftës në raport me fuqinë blerëse, ndërsa theksoi se kjo po krijon pasoja të rënda ekonomike.
Sipas tij, kostoja e lartë e karburanteve ka shkaktuar një dëm prej rreth 2.6 miliardë eurosh për qytetarët shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të transportit dhe ushqimeve.
Berisha u ndal veçanërisht te ndikimi tek fermerët, duke theksuar se ata po përballen me vështirësi serioze për të përballuar kostot e punës dhe të prodhimit.
Ai kritikoi gjithashtu politikën fiskale të qeverisë, duke pretenduar se akciza e naftës është bërë e indeksueshme me inflacionin, çka sipas tij rrit vazhdimisht çmimin për konsumatorët.
Në përfundim, Berisha e cilësoi situatën si një krizë të rëndë ekonomike që prek çdo familje shqiptare dhe kërkoi ndërhyrje për lehtësimin e barrës mbi qytetarët.
