Do të jenë 530 punonjës të administratës publike që do të trajtohen me kredi të lehtësuar me interes 0% për blerje apartament banimi këtë vit (2025). Në Fletoren Zyrtare ku është botuar vendimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike, për vitin 2025” zbulohen dhe kriteret dhe punonjësit e cilëve institucione mund të marrin kredi.
“Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0%. Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike, për vitin 2025, janë, gjithsej 530, të ndara si më poshtë: a) 90 kuota, Ministria e Brendshme; b) 90 kuota, Ministria e Arsimit dhe Sportit; c) 80 kuota, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për mjekë dhe infermierë; ç) 30 kuota, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; d) 30 kuota, Ministria e Mbrojtjes; dh) 30 kuota, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; e) 30 kuota, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; ë) 30 kuota, Ministria e Drejtësisë; f) 30 kuota, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme; g) 30 kuota, Ministria e Financave; gj) 30 kuota, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; h) 30 kuota, Kryeministria”, thuhet në vendim.
Punonjësit e administratës publike që do të përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0% do të përzgjidhen nëpërmjet sistemit të pikëzimit. Në sistemin e pikëzimit përcaktohet se për t’u trajtuar me kredi të butë do të jenë ata punonjës që nuk disponojnë banesë në pronësi; banon në një banesë të mbipopulluar, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; punonjës që ka humbur banesën, si pasojë e zhvendosjes ose e zbatimit të një vendimi gjyqësor; punonjës që banon në banesë që do të prishet, pasi përjashtohet nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike, si dhe nuk përfiton një banesë tjetër. Ndërsa kushtet sociale përfshijnë punonjësit, të cilët kanë jo më pak se dy vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit dhe punonjësit, të cilët kanë jo më pak se shtatë vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit.
