Raportime nga mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se gjatë natës në disa qytete të Iranit janë regjistruar grumbullime dhe festime pas lajmeve për vdekjen e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Në Teheran, sipas dëshmive të publikuara nga media të huaja, turma burrash dhe grash kanë dalë në rrugë, duke brohoritur dhe festuar me fishekzjarre, muzikë dhe boritë e makinave. Nga ballkonet dhe dritaret janë dëgjuar thirrje për “liri”.
Banorë të intervistuar nga media ndërkombëtare kanë shprehur emocione të forta, duke e cilësuar momentin si historik. Disa prej tyre u shprehën se ndiheshin sikur po përjetonin “ditën e parë pa Khamenein”.
Festime janë raportuar edhe në qytete të tjera si Shiraz dhe Isfahan, ndërsa në disa zona kurde në perëndim të vendit të rinjtë kanë dalë në rrugë me shenja fitorjeje.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë turma që brohorasin dhe lëvizin nëpër qytete, ndërsa disa media raportojnë edhe rrëzimin e një monumenti që dyshohet se përfaqësonte liderin suprem.
Zhvillimet vijojnë të ndiqen nga afër nga mediat ndërkombëtare, ndërsa situata në vend mbetet dinamike.
