Protesta e paralajmëruar nga opozita për orën 18:00 ka vënë në alarm të plotë Policinë e Shtetit, e cila ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Burime policore bëjnë me dije se rreth 1300 efektivë do të jenë të angazhuar në terren, duke përfshirë forcat e rendit, Forcën e Ndërhyrjes së Shpejtë, njësitë “Shqiponja”, si dhe struktura speciale që do të qëndrojnë në gatishmëri për çdo skenar të mundshëm.
Në gatishmëri të plotë do të jetë edhe Garda e Republikës, e cila do të sigurojë ruajtjen e institucioneve shtetërore. Të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz, ndërsa në dispozicion do të jenë edhe 5 autobotë me ujë, të gatshëm për ndërhyrje në rast incidentesh.
Si në protestat e mëparshme, përpara Kryeministrisë dhe në perimetrin përreth saj do të vendoset një kordon i dendur policor. Dyert e Kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike, ndërsa përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë instaluar kamera sigurie me rezolucion të lartë për monitorim të vazhdueshëm.
Në terren do të jenë të pranishëm edhe agjentë civilë, të shpërndarë mes protestuesve, për të monitoruar situatën dhe për të identifikuar çdo tentativë për përshkallëzim apo provokim.
Burime nga policia bëjnë me dije se një ditë më parë është zhvilluar një mbledhje e posaçme në Policinë e Tiranës, ku kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit kryesorë, shefat e komisariateve dhe strukturat e rendit dhe sigurisë. Gjatë mbledhjes janë dhënë udhëzime të qarta për ruajtjen e qetësisë, shmangien e provokimeve dhe ndërhyrje vetëm në raste të domosdoshme.
Qëllimi kryesor i masave, sipas policisë, është garantimi i rendit publik dhe zhvillimi i protestës pa incidente.
