Qytetarët pritet të mblidhen edhe sot në protestën e 15-të radhazi në kryeqytet, duke vijuar kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella politike në vend.
Nën sloganin “Shqipëria nuk shitet, zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja nuk shitet”, protestuesit do të grumbullohen fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku aktivistë dhe qytetarë pritet të mbajnë fjalime dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me qeverisjen dhe situatën në vend.
Organizatorët bëjnë të ditur se protesta do të vijojë në të njëjtën formë si në ditët e mëparshme, me pjesëmarrjen e qytetarëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të diasporës.
Tubimi i sotëm vjen pas protestës së 14-të, e cila sipas organizatorëve shënoi pjesëmarrje të lartë dhe u shoqërua me një marshim në rrugët kryesore të Tiranës. Gjatë protestave janë dëgjuar thirrje si: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”.
Ndërkohë, protesta të ngjashme janë paralajmëruar edhe nga diaspora shqiptare në disa qytete të Europës dhe Amerikës së Veriut, në shenjë solidariteti me lëvizjen qytetare që po zhvillohet në Shqipëri.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë paraqitur ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore.
