Zyrtari i NATO-s kërcënon SHBA-në: Nëse merrni Groenlandën, do të konfiskohen bazat amerikane në Europë

Data

Kryetari i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri, Gunther Fehlinger, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, mes spekulimeve se Donald Trump mund të ndërmarrë hapa për marrjen e Groenlandës, madje duke mos përjashtuar edhe ndërhyrje ushtarake.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Fehlinger deklaroi se nëse SHBA do të aneksonte Groenlandën, vendet europiane do të konfiskonin të gjitha bazat ushtarake amerikane në Europë dhe do të kërkonin largimin e trupave amerikane.

“Nëse merrni Groenlandën, ne do të marrim çdo bazë amerikane, nga Aviano në Ramstein, nga Rumania dhe të gjitha bazat e tjera ushtarake. Ato do të konfiskohen dhe SHBA do të humbasë pozitat që ka pasur që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse merrni Groenlandën, duhet të largoheni,” u shpreh Fehlinger.

Videoja e tij u shpërnda gjerësisht në platforma të ndryshme online dhe erdhi si reagim ndaj një postimi të konsideruar provokues nga podkasterja amerikane Katie Miller, e cila publikoi një imazh të Groenlandës të mbuluar me flamurin e SHBA-së, shoqëruar me mbishkrimin “Shumë shpejt”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt asaj, Fehlinger shtoi se Europa është në gjendje të mbrohet edhe pa praninë ushtarake amerikane. “Ne mund të mbrohemi shumë mirë edhe pa strehën bërthamore amerikane, pa trupat amerikane në Europë dhe pa bazat amerikane,” tha ai.

Pretendimet për marrjen e Groenlandës kanë shkaktuar reagime edhe nga liderë të tjerë europianë, të cilët kanë paralajmëruar se një veprim i tillë mund të çojë në një krizë serioze dhe madje në shpërbërjen e aleancës ushtarake të NATO-s.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related