Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së enjtes, më 8 janar, tregun e rrobave të përdorura në lagjen “5 Maji” në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme dhe afërsisë së madhe të dyqaneve me njëri-tjetrin. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse bëri të mundur izolimin dhe neutralizimin e zjarrit, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të tij.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, tha se fatmirësisht ngjarja ndodhi gjatë natës, çka shmangu rrezikun për jetën e qytetarëve, pasi në ambientet e tregut nuk ndodheshin punonjës, tregtarë apo qytetarë.
“Zjarret në ambiente të tilla janë shumë të vështira për t’u menaxhuar për shkak të materialeve që ndodhen aty. Në shumë raste mungojnë masat parandaluese, ndërkohë që tregjet dhe dyqanet janë shumë pranë njëra-tjetrës. Fakti që zjarri u neutralizua është falë punës së forcave zjarrfikëse. Shtëllungat e flakëve ishin masive, u përhapën shpejt dhe dukeshin nga çdo cep i Tiranës. Fatmirësisht, ngjarja ndodhi natën dhe nuk pati persona në ambientet e tregut,” u shpreh Softa.
