Një banesë është përfshirë nga flakët gjatë natës në Fushë-Mamurras, duke u shkrumbuar pothuajse plotësisht dhe duke lënë familjen pa strehë.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës dhe banesa i përket shtetasit Lulzim Tarja. Sipas dëshmisë së tij, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke mos lënë mundësi për të shpëtuar sendet në brendësi.
“Katastrofë, të gjitha gjërat u dogjën”, është shprehur ai, duke shtuar se dyshon për një shkëndijë elektrike si shkak të zjarrit.
Ndërhyrja e zjarrfikësve
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse nga Laç, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe izolimin e tyre, duke shmangur përhapjen në banesat përreth.
Dyshimet për shkakun
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një problem në rrjetin elektrik, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkakun e saktë.
Fatmirësisht nuk raportohen të lënduar, por dëmet materiale janë të mëdha, duke lënë familjen në kushte të vështira dhe pa një strehë të sigurt.
