Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një njësi shërbimi në fshatin Xhyrë, pranë aksit nacional Librazhd–Përrenjas, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas Shërbimit Zjarrfikës të Librazhdit, njoftimi është marrë rreth orës 03:29. Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë dy mjete zjarrfikëse me 10 efektivë, të cilët arritën të izolojnë flakët dhe të shmangin përhapjen e tyre.
Si pasojë e zjarrit, është djegur plotësisht një kioskë në pronësi të shtetasit Skënder Gega, banor i fshatit Xhyrë, si dhe dy automjete të parkuara pranë saj. Mes mjeteve të shkrumbuara është edhe një automjet me targa greke, në pronësi të një emigranti që ishte kthyer në vendlindje për festat e fundvitit.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, u shpëtuan dy kioska të tjera dhe një automjet tjetër që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit.
Shkaku i rënies së zjarrit mbetet ende i paqartë, por burime zyrtare bëjnë me dije se po hetohet seriozisht pista e zjarrvënies së qëllimshme. Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe Policia e Shtetit, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
