Mund të ndodhë sërish…
Më 2019, Shtetet e Bashkuara mbështetën një udhëheqës opozitar që synonte ta rrëzonte Nicolas Maduron e Venezuelës. Rusia e kundërshtoi këtë përpjekje, duke ofruar ndihmë diplomatike dhe një dozë të vogël të mbështetjes ushtarake për një qeveri që mund të jetë partnerja më e rëndësishme e Moskës në Amerikën Latine.
Maduro i mbijetoi krizës kur thirrja e Juan Guaidos për kryengritje ushtarake dështoi si dhe përpjekja e tij për të marrë pushtetin nuk pati sukses – lehtësim i madh për Rusinë dhe një goditje për SHBA-ve, që e konsideron Maduron udhëheqës të jashtëligjshëm. Gjatë mandatit të parë si president i SHBA-ve, Donald Trump, e njohu Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës në janar të vitit 2019.
Përderisa rrethanat sot janë shumë të ndryshme, SHBA-të sërish po rrisin presionin ndaj Maduros.
Ajo ka dislokuar një prani të madhe ushtarake në Karaibe, ku tani po dërgon një aeroplanmbajtës – aeroplanmbajtësin USS Gerald R Ford, që gjerësisht njihet si luftanija më e madhe në botë – dhe ka kryer një sërë sulmesh ajrore ndaj anijeve që dyshon se po trafikojnë drogë, duke vrarë dhjetëra persona.
Zyrtarët amerikanë kanë përmendur një akt-akuzë të vitit 2020 kundër Maduros për krime që lidhen me drogën, teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka quajtur atë “të arratisur nga drejtësia amerikane”.
Në gusht, SHBA-të dyfishoi shpërblimin për këdo që jep informacione për kapjen e tij, duke bërë që shuma të arrijë në 50 milionë dollarë.
Në një intervistë të transmetuar në CBS më 2 nëntor, Trump e minimizoi shqetësimin se SHBA-të do të hyjnë në luftë me Venezuelën, por kur u pyet nëse ditët e Maduros ishin të numëruara, ai tha:
Mendoj se po!
Raportohet se Maduro po kthehet sërish nga Rusia për mbështetje, por analistët thonë se nëse Uashingtoni bën përpjekje për ta rrëzuar atë, levat e Moskës për ta parandaluar një gjë të tillë janë të kufizuara.
“Thënë troç, Rusia nuk mund të bëjë shumë nëse SHBA-të janë të vendosura që të rrëzojnë Maduron, përtej lëvizjeve diplomatike”, tha Mark Galeotti, autor, analist për Rusinë dhe profesor nderi në Shkollën për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore në Universitetin College të Londrës.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës “e përjashton dislokimin e trupave ruse në Venezuelë në rast të një ndërhyrjeje nga SHBA-ja”, tha Alexandra Sitenko, analiste politike me seli në Berlin.
“Megjithatë, s’mund të përjashtohet mbështetja e kufizuar: Rusia mund të transferojë armë, sisteme të mbrojtjes ajrore ose të ofrojë ndihmë në fushën e inteligjencës”.
