Policia lokale e Castell d’Aro, Platja d’Aro dhe s’Agaró ka arrestuar një shtetas shqiptar, i dyshuar si përgjegjës për një plantacion të madh marihuane të ngritur brenda banesës së tij.
Hetimi kishte nisur disa javë më parë, pasi autoritetet vunë re lëvizje të pazakonta personash që hynin dhe dilnin shpesh nga banesa, duke qëndruar vetëm për pak minuta. Kjo sjellje ngjalli dyshime për aktivitet të paligjshëm të lidhur me drogën.
Në bashkëpunim me njësitë hetimore, policia monitoroi objektin dhe kërkoi verifikim të konsumit të energjisë elektrike. Të dhënat treguan një shpenzim shumë më të lartë se norma, çka përforcoi dyshimet për një laborator të brendshëm kultivimi.
Pas marrjes së autorizimit gjyqësor, më 22 dhjetor u krye kontrolli i banesës, ku u zbulua një infrastrukturë e plotë për kultivimin e marihuanës, me 709 bimë në total. Instalimi elektrik rezultoi i manipuluar për të fshehur konsumin real të energjisë, ndërsa dëmi i përllogaritur nga përdorimi i paligjshëm i rrymës arrin rreth 75 mijë euro.
I dyshuari, pa precedentë penalë, u arrestua për trafikim të lëndëve narkotike dhe mashtrim me energjinë elektrike. Ai është shoqëruar në komisariat dhe është paraqitur para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
