Një banesë është përfshirë nga flakët paraditen e kësaj të diele në fshatin Murras, në bashkinë e Elbasanit, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e shërbimit zjarrfikës, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi për vënien nën kontroll të flakëve dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave përreth.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Në momentin kur shpërtheu zjarri, në banesë ndodheshin tre anëtarë të familjes, të cilët kanë arritur të dalin menjëherë jashtë sapo kanë konstatuar flakët, duke shpëtuar pa pësuar asnjë dëmtim.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një pajisje elektroshtëpiake, por autoritetet përkatëse vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
