Zinxhiri i këputur i kontrollit minon besimin te tregu farmaceutik shqiptar

Data

Industria prej qindramilionë euro e farmaceutikës në Shqipëri vuan nga keqfurnizimi dhe mungesa e kontrollit institucional, duke i shtyrë gjithmonë e më shumë pacientët shqiptarë drejt kërkimit të medikamenteve nga jashtë shtetit.

Si shumë pensioniste të brezit të saj në Shqipëri, Sanija, 72 vjeç, jeton larg të birit që ka emigruar prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por emigrimi e ka pasur një anë pozitive, pasi djali i saj kujdeset për të gjitha medikamentet që i nevojiten asaj për të kuruar tensionin, aritminë dhe osteoporozën.

“Ndryshimi i ilaçeve që më vijnë nga Amerika është si nata me ditën me këto në Shqipëri,” thotë me këmbëngulje gruaja nga Tirana. “Nëse përdor ilaçet e tensionit që i marr me rimbursim, më duhet një muaj për ta stabilizuar [tensionin], kur përdor këto që më vijnë nga Amerika, tensioni më stabilizohet për një javë,” shtoi ajo.

E moshuara nuk është e vetmja që ndan mendimin popullor se medikamentet që qarkullojnë në Shqipëri nuk janë eficente. Një grup pacientësh, mjekësh dhe ekspertë të fushës i thanë BIRN në intervista të veçanta se nuk kanë besim te tregu farmaceutik shqiptar, i cili vuan nga keqfurnizimi dhe mungesa e kontrollit.

Çështja e cilësisë dhe efikasitetit të medikamenteve mbetet një temë e diskutuar prej të paktën një dekade, që kur Ministria e Shëndetësisë ndryshoi ligjin dhe vendosi që ta hapte tregun ndaj medikamenteve të lira gjenerike, që jo domosdoshmërisht mbartin garancinë e konsumit nga qytetarë të Bashkimit Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related