Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka reaguar pas debatit të ngritur për largimin nga puna të dy aktorëve të trupës së Teatrit “Migjeni”.
Beci thekson se vendimi i marrë vjen pas një analize të plotë të performancës individuale të çdo aktori dhe nuk ka asnjë prapavijë politike, siç është pretenduar..
‘Në kuadër të riorganizimit në prag të nisjes së sezonit të ri artistik, pak ditë më parë Drejtoria e Kulturës në Bashkinë e Shkodrës bëri një bilanc të punës individuale të secilit nga pjesëtarët e trupës profesioniste të aktorëve të Teatrit Migjeni, falë të cilit u arrit në përfundimin që disa prej tyre nuk i kishin përmbushur pritshmëritë dhe objektivat e sezoneve të mëparshme.
Dëshirojmë të theksojmë se ky riorganizim jo vetëm që nuk cënon cilësinë apo numrin e shfaqjeve të programuara për sezonin artistik të ardhshëm të Teatrit Migjeni, por përkundrazi synon të forcojë dhe përmirësojë më tej veprimtarinë artistike dhe organizative të institucionit. Në një trupë artistike, ashtu si në çdo sektor tjetër të administratës, ka detyrime të një kontrate pune, e cila në rast moszbatimi apo mosrealizimi, vjen një moment dhe ndërpritet. Për më tepër kur këto mosrealizime nuk janë periodike, por për tre vite, 12 muaj pa ndërprerje, me kontributin e taksapaguesve shkodranë.
Sipas tij, bëhet fjalë për mungesë të vazhdueshme angazhimi për tre vite me radhë, gjatë të cilave individët në fjalë kanë marrë rroga nga taksat e qytetarëve pa dhënë asnjë kontribut të prekshëm në skenën teatrore.
