Një 21-vjeçare shqiptare rezulton e zhdukur prej disa ditësh në zonën e Foggias në Itali, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur kërkimet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Sipas mediave italiane, e reja është parë për herë të fundit pasditen e 2 marsit pranë një rruge nacionale në provincën e Foggias. Pas denoncimit të zhdukjes, policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit kanë zhvilluar kontrolle të shumta në zonë.
Gjatë kërkimeve janë gjetur disa sende personale të saj, fillimisht xhaketa që kishte veshur dhe më pas telefoni celular, çka ka shtuar dyshimet se ajo mund të jetë përfshirë në një situatë të rrezikshme pak para zhdukjes.
Sipas dëshmisë së një shoqeje me të cilën jetonte në Itali, të dyja kishin punuar fillimisht në bujqësi dhe më pas kishin shkuar në zonën e Foggias, ku dyshohet se ushtronin prostitucion në një segment të Rrugës Shtetërore 16.
Shoqja ka deklaruar gjithashtu se disa ditë para zhdukjes ato ishin kërcënuar nga një person që u kërkonte para për të vazhduar të punonin në atë zonë.
Sipas saj, ditën e zhdukjes 21-vjeçarja është larguar me një makinë tip BMW të zezë ku ndodhej një person i ri. Pak më vonë, kur ajo tentoi ta telefononte, telefonata u ndërpre papritur dhe që prej atij momenti nuk ka pasur më asnjë kontakt me të.
Autoritetet italiane kanë intensifikuar kërkimet me qen nuhatës dhe dronë, ndërsa po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë edhe atë të shfrytëzimit për prostitucion. Për momentin, fati i të resë mbetet ende i panjohur.
