Policia e Tiranës ka zbuluar një lokal që dyshohet se përdorej për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Rezultati”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë pronarin e lokalit dhe kamerierin.
Në pranga ranë shtetasit A. K., 36 vjeç dhe B. Xh., 26 vjeç. Sipas policisë, në lokalin në pronësi të 36-vjeçarit, që ndodhet në rrugën “Artan Lenja”, dyshohet se organizoheshin baste sportive përmes kompjuterëve dhe telefonave celularë.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi 2 kompjuterë dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet për evidentimin e subjekteve që organizojnë lojëra fati në mënyrë të paligjshme do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
