Zgjedhjet në Kosovë/ Ndalohen 34 persona për manipulimin e votave të kandidatëve, çfarë ndodhi?

Data

Autoritetet në Kosovë kanë ndaluar të dielën 34 persona, nga 43 të intervistuar, të dyshuar për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor. Të ndaluarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, hetimet kanë përfshirë kryesuesit e Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Prokuroria ka urdhëruar Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës që të zhvillojë intervista dhe të mbledhë prova lidhur me dyshimet për manipulim të qëllimshëm të votave.

Gjatë ditëve të fundit, autoritetet kanë intervistuar qindra persona në komuna të ndryshme të vendit, ndërsa dhjetëra prej tyre janë ndaluar nën të njëjtat dyshime.

Dyshimet u forcuan pas procesit të rinumërimit, ku u konstatua se votat për disa kandidatë kishin ndryshuar ndjeshëm, në disa raste deri në 6 mijë vota për një kandidat, ndërkohë që votat për partitë politike nuk ishin prekur. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Për disa zyrtarë dhe vëzhgues, ky është cilësuar si një nga proceset më të komprometuara zgjedhore në Kosovë, një zhvillim që bie ndesh me reputacionin që vendi ka ndërtuar ndër vite për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e rinumërimit dhe ka publikuar rezultatet përfundimtare, duke miratuar listat e kandidatëve për të gjitha partitë, me përjashtim të Listës Serbe. Ky vendim ka nxitur reagime të forta nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar, ndërsa është paralajmëruar ushtrimi i ankesave brenda afatit ligjor prej 48 orësh.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related