Zgjedhje në kushte ekstreme, Portugalia voton presidentin e ri mes përmbytjeve

Data

Portugalia rikthehet këtë të diel në kutitë e votimit për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, në një moment jashtëzakonisht të vështirë për vendin, i cili është goditur rëndë nga moti ekstrem që ka përfshirë Gadishullin Iberik ditët e fundit.

Stuhitë dhe përmbytjet kanë shkaktuar viktima, evakuime masive dhe dëme të mëdha materiale, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në procesin zgjedhor. Rreth 11 milionë qytetarë janë thirrur të votojnë për të zgjedhur pasardhësin e presidentit në largim, Marcelo Rebelo de Sousa.

Për shkak të emergjencës klimatike, disa bashki kanë vendosur të shtyjnë votimin për javën e ardhshme, ndërsa të tjera po e zhvillojnë procesin zgjedhor edhe sot, nën masa të shtuara sigurie.

Në balotazh përballen fituesi i raundit të parë, socialisti António José Seguro, i cili mori 31.1% të votave, dhe André Ventura, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Chega, që siguroi 23.5% dhe përfaqëson forcën e dytë më të madhe në parlament.

Emergjenca e motit dominoi fushatën zgjedhore, e cila u ndërpre praktikisht nga katastrofa natyrore. Ventura kërkoi shtyrjen e plotë të votimit në të gjithë vendin, por kërkesa u refuzua nga Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve, i cili ia la vendimmarrjen autoriteteve vendore.

Pavarësisht ndërprerjeve dhe mbërritjes së një stuhie tjetër, e cila ka shkaktuar edhe humbjen e jetës së një zjarrfikësi në rajonin e Alentejos, autoritetet presin një nivel të lartë mungesash në votim.

Që nga 28 janari, stuhitë e njëpasnjëshme kanë shkaktuar gjithsej 14 viktima në të gjithë vendin.

Sipas sondazhit të fundit të Universitetit Katolik, Seguro pritet të fitojë bindshëm balotazhin me rreth 67% të votave, kundrejt 33% për Venturën, duke lënë pak hapësirë për një surprizë nga ekstremi i djathtë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related