Policia greke po thellon hetimet mbi çështje që kanë të bëjnë me vrasjet, drogën, dhe trafikun e emigrantëve të parregullt pas zbulimit të komunikimeve përmes platformave të koduara “Sky ECC” dhe “Encrochat”, të zhvilluara në territorin e Greqisë.
Komunikimet iu dhanë Greqisë nga EUROPOL në vjeshtën e vitit 2023 në rreth 4500 dosje me mbi 25000 mesazhe të shkëmbyera mes personave të dyshuar të përfshirë në rrjete kriminale, sidomos të trafikut të drogës.
Sipas policisë greke pas urdhër arresteve për mbi 15 shtetas shqiptarë, të dyshuar në trafikun e marijuanës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe trafikun e kokainës nga Spanja në drejtim të Greqisë dhe Shqipërisë. Hetimet po kryhen për të zbuluar aktivitete të tjera kriminale.
Sipas burimeve zyrtare policore greke Shërbimi i Brendshëm i Policisë me urdhër të Prokurorit ka përfshirë hetime edhe për lidhjet e oficerëve të lartë të antidrogës greke me eksponentë të trafikut të drogës, mes të cilëve edhe një shtetas i dyshuar nga Shqipëria, që vuan dënimin në burgjet greke.
Policia greke njoftoi masa ndalimi ndaj një oficeri të policisë greke dhe dy shtetasve, një shqiptar dhe një grek të dyshuar për trafik droge.
Shtypi grek publikoi të hënën një dokument ku me shkrim dore janë shkruar në një letër disa numra telefoni të vëna në përgjim nga antidroga greke.
Sipas shtypit grek oficeri i antidrogës greke e dërgon dokumentin, përmes platformës “Sky ECC”, tek njëri prej trafikantëve, për ta sinjalizuar.
Në periudhën 2020-2021, si pjesë e një operacioni të koduar “Limit”, Agjencia Europiane “Europol” në bashkëpunim me autoritetet kombëtare të Francës, Belgjikës dhe Holandës zbuloi aplikacionin e koduar të komunikimit Sky ECC, i cili është përdorur në masën 90% nga persona të dyshuar për krime penale kryesisht në fushën e drogës në mbarë botën.
Bazuar në përmbajtjen e tyre, EUROPOL i shpërndau dosjet e komunikimit në shtetet anëtare për policitë lokale për të hetuar krimet. Greqia ishte e fundit nga 27 vendet që mori dosjen përkatëse në në vjeshtën e vitit 2023.
