Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e sotme në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një takim me banorët e zonës së Zvërnecit mes debateve të forta që kanë shoqëruar projektin e paralajmëruar për këtë zonë.
Kreu i qeverisë mbërriti në Pallatin e Kulturës “Labëria”, ku u prit nga kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, si dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Vlorë, Blendi Çuçi.
Para hyrjes në sallë, Rama u ndal për pak çaste mes qytetarëve të pranishëm dhe firmosi një bluzë për një vajzë të vogël. Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët lidhur me zhvillimet e fundit dhe protestat për Zvërnecin, kryeministri refuzoi të komentojë, duke u përgjigjur shkurt me një “Jo”.
Pak minuta më herët, Rama kishte mbërritur në Vlorë me helikopter, menjëherë pas pjesëmarrjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të zhvilluar në Mal të Zi.
Vizita e tij në Vlorë vjen në një moment kur projekti i diskutuar për Zvërnecin ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe protesta të vazhdueshme në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Takimi me banorët pritet të fokusohet te shqetësimet e ngritura për zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe debatet mbi zhvillimin e projektit, ndërsa interesi publik për këtë çështje mbetet i lartë.
