Një sulm i mundshëm me bombë është parandaluar në Paris, pas ndërhyrjes së shpejtë të forcave të policisë franceze.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në Rue de la Boétie, pranë një dege të Bank of America, ku një person u arrestua teksa dyshohet se po përgatiste shpërthimin e një pajisjeje artizanale.
Sipas burimeve hetimore, pajisja përbëhej nga një enë me lëndë të dyshuara hidrokarbure dhe një mekanizëm ndezës, çka e bënte atë potencialisht shumë të rrezikshme.
Hetimi i rastit i është besuar njësive antiterror në Francë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur motivet dhe lidhjet e mundshme të të dyshuarit.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, përgëzoi reagimin e shpejtë të policisë, duke theksuar se vigjilenca ndaj kërcënimeve të tilla mbetet në nivel të lartë.
Ndërhyrja e menjëhershme shmangu një incident të mundshëm me pasoja të rënda në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit francez.
