Zbardhen SMS-të në dosjen e SPAK, kush është biznesmeni, komshi me Kryemadhin në Lalëz që shërbeu si ndërmjetës për…

Data

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se ish-presidenti Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi kanë përdorur si ndërmjetës biznesmenin Theodhori Çamin, i cili, sipas SMS-ve që kanë dalë, kishte njohuri dhe lidhje me drejtuesit e kompanisë Vodafone në Shqipëri. Rezulton se Theodhori Çami dhe Ilir Meta e Kryemadhi janë fqinj me vilat e tyre në Gjirin e Lalzit.

Madje, aq shumë ka qenë i përfshirë Theodhori (Theo) në këtë histori, sa Kryemadhi komunikon vazhdimisht me Adrian Shatkun për sjelljet e tij, ndërkohë në një moment shkruan se “Theo u dh*je fare se i foli Iliri”. SPAK ka zbuluar se lidhja e kompanisë UNIFI me Vodafone është bërë pikërisht me ndërmjetësimin e Theodhori Çamit dhe për këtë, sipas dosjes, ky i fundit ka marrë 6-7 pagesa, pasi sipas Adrian Shatkut, kaq kushtonte shërbimi që kishte ofruar.

Dosja e SPAK

“Bashkëpunimi i personave nën hetim, Monika Kryemadhi dhe Ilir Metaj, me kompaninë UNIFI HOLDING INC, kishte për qëllim që kjo e fundit të lidhte marrëveshje interkoneksioni për transferimin e thirrjeve telefonike. Sipas organit të akuzës, bashkëpunimi i Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës me shtetasin Adrian Shatku, si dhe vendosja e administratës publike në funksion të interesave të kompanisë Unifi Holding Inc, Dega Shqipëri, nuk kufizohej vetëm në drejtim të licencimit të kësaj kompanie për shtrimin e fibrave optike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Monika Kryemadhi dhe Ilir Metaj kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre në parti dhe në nivelet e larta të administratës shtetërore, si dhe influencën e tyre që buronte nga pozicionet publike-zyrtare që ata mbanin.

Konkretisht, Ilir Metaj ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa Monika Kryemadhi ishte deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Qëllimi ishte që kompania Unifi Holdings Inc, Dega Shqipëri, të lidhte një kontratë interkoneksioni me kompaninë Vodafone Albania. Për këtë qëllim, Monika Kryemadhi është takuar disa herë me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Vodafone Albania, dhe të paktën në dy raste, takimet janë organizuar nga kryetari i AKEP-it, Piro Xhixho, i cili ka qenë pjesë e takimeve”, thuhet në dosjen e SPAK.

Detajet

Prokurorët kanë shpjeguar me detaje historikun e veprimtarisë së Monika Kryemadhit, Ilir Metës, Piro Xhixhos, Adrian Shatkut, Theodhori Çamit etj., me qëllim lidhjen e kontratës së interkoneksionit midis Vodafone Albania dhe Unifi Holdings Dega Shqipëri. “Në datën 29 maj 2014, Adriani i shkruan Monika Kryemadhit se ka folur me Dhorin dhe ligjorin e Vodafone-it dhe kanë rënë dakord. Adriani e porosit Monikën që të ulet me pak attitude me Afrikano-Jugorin. Në deklarimin e tij, shtetasi Theodhori Çami ka sqaruar se Dietlof Mare, ish-drejtori ekzekutiv i Vodafone-it, quhej “South African”, me shtetësi të Afrikës së Jugut. Gjatë komunikimit me Adrian Shatkun, Monika Kryemadhi i shkruan për Th. Çamin: “E bëri copë Meta sot, se i thashë unë dhe të hënën ulem unë”.

Në deklarimin e saj, shtetasja Esmeralda Korini, me detyrë specialiste e interkoneksionit në Vodafone, shpjegon se Marios Yiadzidis ka qenë Drejtor i Departamentit Ligjor, Rregullator dhe Marrëdhënieve me Jashtë deri në vitin 2019. Ky shtetas identifikohet edhe nëpërmjet komunikimeve me email, që Adrian Shatku ka bërë me Marios Yiadzidis, email-e që janë gjetur të ruajtura në të dhënat e telefonit të Monika Kryemadhit. Në vijim të komunikimeve me Monikën, në datën 29 maj 2014, Adriani i shkruan se të hënën firmoset. Më tej, i shkruan: “Nesër jam në Romë, të hënën dhe të martën në Tunizi, dhe po qe se duhet, do kaloj përsëri të mërkurën”. Biseda lidhet me marrëveshjen e interkoneksionit që kompania Unifi Holdings Inc. firmosi rreth një muaj më pas me kompaninë Vodafone Shqipëri”, thuhet në dosjen e SPAK.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related