Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë pak ditë më parë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzën e korrupsionit lidhur me procesin e privatizimit të klubit të futbollit Partizani. Gjatë thirrjes për t’iu komunikuar akuza, dy prokurorët e çështjes Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, i dhanë kryetarit të Partisë Demokratike dhe dosjen e plotë e cila përbërë nga 500 faqe. Gazeta “SOT” e disponon këtë dosje dhe sot do të nxjerrim provat në duart e prokurorëve që kanë tronditur nga themelet familjen “Berisha”. Flitet për transaksione, prona, dhe emërime postesh për zyrtarë e ish-zyrtarë të PD që kanë qenë njëkohësisht punonjës në bizneset e Jamarbër dhe Argita Malltezit, pagesat për gjyqet anti-nongrata të Berishës, pagesa për gjyqin e Shkëlzen Berishës në SHBA kundër autorit të shkrimit në NeW Jork Times, (Afera Gërdeci), i cili më pas u bë libër dhe film në Hollivud, për biznesin e boronicave, etj, etj që do t’i rendisim më poshtë.
Dëmi ndaj shtetit, 4.3 mln euro
Në dosje thuhet se gjatë procesit të privatizimit të kompleksit “Partizani”, shtetit i është bërë një dëm ekonomik në vlerën 4.3 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në token e cila nga sportive ishte kthyer në tokë ndërtimi. “Sipas raportit të vlerësimit të mbajtur nga ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi e konfirmuar edhe nga Komisioni i vlerësimit në procedurën e privatizimit të klubit Shumësportësh Partizani, vlera e ndërtesave është 43.254.740 lekë, ndërkohë sipas aktit të ekspertimit të kryer nga ekspertët e caktuar nga prokuroria, vlera shumatore e ndërtimeve është 388.713.439 lekë, pra 345.458.689 lekë më shumë”, thuhet në dosjen e SPAK. Ndërkohë dokumenti vijon:“Sipas raportit të vlerësimit të mbajtur nga ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi në lidhje me vlerësimin e Klubit të Futbollit Partizani, ka rezultuar se vlera e ndërtesave është 10.108.780 lekë e konfirmuar nga grupi i vlerësimit, kurse nga ekspertët gjatë hetimit është vlerësuar 101.094.535 lekë ose 90.985.755 lekë më shumë. Pra shtetit nga këto privatizime i ka ardhur një dëm në vlerën 436.444.444 lekë”.
Si u privatizua kompleksi “Partizani” nga Berisha
Në materialin 500 faqe të akt-akuzës ndaj Berishës, SPAK vë theksin në disa momente kyçe, mes të cilave pretendon të provojë korruptimin e tij. Përmes ligjeve apo akteve nënligjorë të miratuara, një nga veprimet e kryera nga ish-kreu i ekzekutivit, që sipas SPAK i ka dhënë përparësi privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ka qenë një urdhër i firmosur nga Sali Berisha më 16 prill 2009. Përmes tij, Berisha urdhëronte një kontroll tematik në Ministrinë e Mbrojtjes nga ana e departamentit Anti-Korrupsion të kryeministrisë ndaj një denoncimi të bërë nga katër anëtarë të familjeve ish-pronare, që pretendonin veprime abuzive të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë hetimit, SPAK ka pyetur firmëtarët, të cilët ndonëse konfirmojnë firmat, kanë pretenduar se nuk mbajnë mend të kenë firmosur shkresën. Sipas SPAK, në këtë rast, Sali Berisha ka përdorur funksionin e tij si kryeministër për t’i ushtruar presion kontroll Komandës Mbështetëse, që nga kjo e fundit të çohej para procesin e kthimit të pronës.
