PS dhe PD zgjodhën gjatë javës që lamë pas drejtuesit politikë të 12 qarqeve që do përballen në zgjedhjet parlamentare.
Në përgatitjet për nisjen e fushatës, gjatë ditës së sotme pati dhe një lajm për Sali Berisha që do duhet të paraqitet në SPAK të mërkurën së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi që t’iu komunikohet akuza në mbyllje të hetimeve për aferën ‘Partizani’.
Në një emision televiziv, anëtari i Kryesisë së PD, Bislim Ahmetaj theksoi se Berisha u mbajt 9 muaj në izolim pa akuzë, ndërsa lidhur me protestën para SPAK shprehet se nuk do jetë masive por dinjitoze.
‘Bëhen fiks 9 muaj që Berisha është i izoluar për një gjoja me justifikimin e prishjes së hetimeve. Berisha mund të prish hetimet, një nga argumentet më absurd e fabrikuar nga drejtësia qoftë dhe në kohën e diktaturës. Për një ngjarje publike të ndodhur 15 vite më parë, një nga argumentet më të papranueshëm të një sistemi drejtësie. Pasnesër i komunikohet akuza, një njëri pa akuzë është mbajtur në burg. Ky është burgu maksimal që mund të vendoset një njeriu në atë moshë. Berisha mund të ketë bërë me dhjetëra gjëra por kjo është nga gjërat më të padenja që i atribuohet. Protesta dinjitoz, jo masive për të krijuar ngjarje, për ti kujtuar drejtësisë së munguar. 9 muaj kanë qenë të mjaftueshme për të hetuar komplote ndërkombëtare.’
Analisti Arben Meçe shton se për lirimin e Berishës nga izolimi dhe dalja në terren më i interesuari është Edi Rama, pasi nuk i intereson të ndeshet pa kundërshtar.
‘Berisha nuk është në masë sigurie për vepër penale. Nuk ka asnjë akuzë dhe nuk ka kërkim për masë sigurie nga prokuroria. Ka një kërkesë normale që ka një hetim dhe ai hetohej në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni. Ai i bëri sfidë drejtësisë por ndeshesh me ligjin. Është në masë sigurie në shtëpi jo falë sistemit të drejtësisë, por falë sfidës ndaj sistemit të drejtësisë. Çfarë fiton duke iu kundër përgjigjur sistemit të drejtësisë. Masa e sigurisë u mor vetëm me këtë gjë. Të mërkurën transmetohet akuza. Dhe kërkohet protestë madhështore. Për t’iu kundërpërgjigjur kujt? Berisha u fut në këtë masë sigurie, për hetim. Dhe kur i jepet masa e sigurisë hetimi ka përfunduar. Protestuesit do presin Berishën përjashta si person i liruar. Do presin lirimin e Berishës. Kush është i interesuar për lirimin e Berishës? Rama. Nuk ka asnjë lloj interesi politik të garoj pa kundërshtar.’
Sa i përket drejtuesve të qarqeve, Bislim Ahmetaj akuzon PS se e fitoi Shkodrën me ndihmën e Bajrave.
‘Qarkun e Shkodrës e kanë fituar Bajrat. Bashkinë e Shkodrës e kanë fituar Bajrat. Kurrë nuk do e kishte fituar Beci dhe askush. Janë lënë në duar të bandave. Nëse do kishin një kundërshtar si Rama me organizatën e tij e mund kushdo.’
Meçe krahasoi drejtuesit e PS me ato të PD. Ai shprehet se nga njëra anë Rama ka transformuar PS totalisht këto 12 vite, ndërsa PD nga ana tjetër ka të njëjtët njerëz prej 12 vitesh.
