Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, një prej organizatorëve të tubimit, Ilir Xhemalaj, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të reagojë ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunović, të cilat kanë ngjallur reagime në opinionin publik.
Sipas Xhemalajt, kryeministri Edi Rama duhet të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të shpallë ministren serbe “non grata”.
“Ka 48 orë që një ministre serbe ka deklaruar se do të kishte bërë spastrim etnik ndaj shqiptarëve. I kërkoj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i cili deri më tani nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare, që ta shpallin atë ‘non grata’”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Xhemalaj kritikoi edhe kryeministrin Rama për mungesë reagimi ndaj kësaj çështjeje dhe shprehu qëndrimin e tij politik lidhur me marrëdhëniet me Serbinë.
Deklaratat e protestuesit përfaqësojnë qëndrimet e tij dhe nuk pasqyrojnë një vendim apo qëndrim zyrtar të autoriteteve shqiptare.
