Vr*sja e 14-vjeçarit në Tiranë/ Analiza e REL: Një rikujtim i zymtë i ‘dështimit kolektiv’

Data

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, mesditën e 18 nëntorit në Tiranë, tronditi opinionin në Shqipëri. Institucionet, familja, shkolla, shoqëria – të gjithë janë duke kërkuar masa të reja, nisma ligjore, rregulla e protokolle se si ta reduktojnë dhunën te të miturit. Reagimi apo mosreagimi i faktorëve dhe aktorëve të përfshirë në ngjarje janë tashmë pjesë e hetimeve. Martini u vra nga sulmi me thikë nga një bashkëmoshatar, nxënës i së njëjtës shkollë në Tiranë. Ai u arrestua nga policia, ndërsa një tjetër nxënës ndodhet në spital, pas plagëve që mori si pasojë e sherrit. Pas vrasjes, autori i dyshuar publikoi në rrjetet sociale fotografi me dorën e plagosur dhe grushtin e ngritur, ndërsa më herët kishte publikuar edhe fotografi me thikë në dorë.

Rasti i Martinit është i treti i vrasjes së të miturve nga bashkëmoshatarët e tyre këtë vit në Shqipëri. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarja ka treguar se zinxhiri i sigurisë ka dështuar

“Ka një zinxhir sigurie, pjesë e të cilit nuk është vetëm policia, por edhe oficeri i sigurisë, stafi pedagogjik, psikologët, sociologët, prindërit. Ngjarja ka treguar se ka një dështim në këtë zinxhir sigurie – besoj jo me dashje apo nga neglizhenca”, thotë Mullai.

Ai shton se vrasja e Martinit e bën domosdoshmëri rishikimin e Paketës së sigurisë në shkolla dhe marrjen e disa masave të tjera.

“Paketa e sigurisë në shkolla ishte gjë e mirë që u zbatua, ndoshta ka ardhur koha të rifreskohet. Paketa e sigurisë nuk ka dështuar, por duke parë mangësitë – nisur edhe nga rastet konkrete – ka nevojë të rishikohet, për të sjellë masa më të mira të sigurisë”, thotë Mullai.

Sipas Mullait, ngjarja është nën hetim dhe tani për tani nuk mund të thuhet nëse ka përgjegjësi mbi oficeren e sigurisë që nuk e ka referuar ngjarjen në polici.

“Mendoj se nuk është neglizhuar. I kanë marrë në pyetje disa herë, nxënësit janë pajtuar në prezencë të oficeres së sigurisë, psikologes, punonjëses sociale e drejtorisë së shkollës. Dhe, duke parë që të dy ishin nxënës të mirë në mësime dhe nuk kanë shfaqur probleme, kanë menduar se është zgjidhur si problem”, thotë Mullai.

Ai, po ashtu, tregon se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, menjëherë pas ngjarjes, ka mbledhur ekspertët e policisë në një analizë të detajuar për ngjarjen dhe zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën e sigurisë. Ai ka urdhëruar, gjithashtu, që videot që publikohen nga të rinjtë me armë apo duke bullizuar, të verifikohen dhe të merren masa të menjëhershme kundër tyre. Sipas Mullait, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me një ftesë për bashkëpunim në ngritjen e një tryeze teknike dhe më pas për një debat të gjerë publik, me qëllim rifreskimin e masave të sigurisë, të përcaktuara në Paketën e sigurisë në shkolla.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related