Lubonja: Mungon guximi për drejtësi, Balluku duhej arrestuar

Data

Analisti Fatos Lubonja ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet çështja e Belinda Ballukut, duke e cilësuar zvarritjen institucionale si mungesë guximi dhe parimi në vendosjen e drejtësisë.

Gjatë një interviste televizive, Lubonja u ndal te reagimi i fundit i Komisionit Evropian, i cili kërkoi që Kuvendi të trajtojë pa vonesë çështjen e mandatit të deputetes. Sipas tij, problemi është shumë më i thellë dhe lidhet me mosveprimin në kohë të institucioneve shqiptare, veçanërisht të SPAK-ut.

“Mendoj se faktori kryesor është mungesa e guximit dhe e parimit të drejtësisë. Nuk e shoh këtë as te SPAK-u, i cili duhej të kishte kërkuar arrestimin e Ballukut dhe heqjen e imunitetit pa e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Lubonja.

Ai theksoi se zvarritja proceduriale i ka shërbyer politikës dhe jo drejtësisë, duke krijuar hapësirë për presion, interpretime dhe mbrojtje institucionale. Sipas tij, veprimi i drejtpërdrejtë do të kishte dhënë një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin.

Lubonja shprehu gjithashtu skepticizëm ndaj rolit të faktorëve ndërkombëtarë, duke vënë në pikëpyetje vendosmërinë e tyre për të reaguar realisht në këtë situatë. Ai tha se, ndonëse deklaratat ekzistojnë, mungon presioni politik i qartë.

“Nuk jam i sigurt nëse faktori ndërkombëtar është aq i vendosur sa të ketë parë një padrejtësi dhe të kërkojë ndryshime reale. Reagimet politike janë të zbehta”, theksoi ai.

Si shembull, Lubonja krahasoi situatën aktuale me rastet e mëparshme, kur ndërkombëtarët reaguan hapur ndaj sulmeve të Sali Berishës kundër SPAK-ut. Sipas tij, heshtja ndaj kryeministrit Rama është e pajustifikueshme.

“Kur Berisha sulmonte SPAK-un, reagimet ishin të menjëhershme. Tani që Rama është në qendër të çështjes, nuk dëgjohet asnjë fjalë e fortë. Duhej të ishte rritur shqetësimi i BE-së për atë që po ndodh”, përfundoi Lubonja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related