Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar në të gjithë territorin e vendit, ndërsa aktualisht moti karakterizohet nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.
Sipas njoftimit zyrtar, temperaturat kanë pësuar rritje, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e qarkullimit rrugor. Grupet e punës, në bashkëpunim me mjetet borëpastruese, kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, duke ndërhyrë për pastrimin e rrugëve nga gurët dhe inertet, si dhe për hedhjen e kripës në segmentet problematike, me qëllim parandalimin e ngricave.
ARRSH thekson se qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit dhe nuk ka bllokime apo problematika madhore që pengojnë lëvizjen e mjeteve.
Megjithatë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë udhëtimeve drejt zonave malore ku ka ende prezencë dëbore, të përdorin goma dimërore dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
