Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një telegram të gjitha drejtorive vendore dhe komisariateve në vend, duke kërkuar masa urgjente për goditjen e shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta në shkolla dhe në zonat përreth tyre.
Në dokumentin e siguruar, Hita ngre shqetësimin për ngjarjet e rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në ambientet arsimore me sende të ndaluara, duke rrezikuar sigurinë e nxënësve dhe zhvillimin normal të procesit mësimor.
Telegrami evidenton si problem kryesor shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave, si edhe rastet e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta nga të rinjtë.
Kreu i Policisë së Shtetit pranon se një pjesë e incidenteve kanë ardhur edhe si pasojë e reagimit të vonuar dhe mungesës së kontrolleve efektive nga strukturat policore në terren.
Në udhëzimet e tij, Hita kërkon rritje të patrullimeve pranë institucioneve arsimore, kontrolle të shtuara dhe bashkëpunim më të ngushtë me drejtuesit e shkollave për identifikimin dhe parandalimin e rasteve problematike.
Ai ka kërkuar “zero tolerancë” ndaj çdo personi të përfshirë në shpërndarje droge apo mbajtje të armëve në mjediset shkollore, duke paralajmëruar përgjegjësi për strukturat policore që nuk reagojnë në kohë.
