Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të zhvillojë një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten tepër të larta.
Netanyahu deklaroi se pret të marrë më shumë detaje mbi vizitën e Trump në Kinë, ndërsa sinjalizoi se një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë situata me Iran.
“I mbajmë sytë hapur në lidhje me Iranin. Sigurisht që do të dëgjoj përshtypje nga udhëtimi i tij në Kinë, ndoshta flasim edhe për tema të tjera. Sigurisht që ka shumë mundësi dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, u shpreh Netanyahu.
Deklarata e kreut të qeverisë izraelite vjen në një periudhë të tensionuar diplomatike dhe ushtarake në rajon, ndërsa raportet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vijojnë të dominojnë zhvillimet ndërkombëtare.
Biseda mes Netanyahu dhe Trump pritet të fokusohet jo vetëm te situata e sigurisë në Lindjen e Mesme, por edhe te zhvillimet gjeopolitike pas vizitës së presidentit amerikan në Pekin dhe negociatat e fundit mes fuqive globale.
