Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e 57-vjeçarit Petrit Ndout, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë në një rrugë dytësore në fshatin Bushnesh.
I dyshuari kryesor, Andi Vokrri, akuzohet se pas një debati për kalimin me automjet ka goditur viktimën, duke i shkaktuar vdekjen. Në të njëjtën çështje janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, Lorenc Goga, 26 vjeç, dhe Fation Kulla, 23 vjeç, shokë të Vokrrit, të cilët akuzohen për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Gjatë seancës gjyqësore, Andi Vokrri ka mohuar akuzën, duke deklaruar se nuk ka pasur çekiç me vete në automjet. Ai ka pranuar se ka pasur debat dhe konflikt fizik me viktimën, por ka këmbëngulur se nuk e ka goditur me ndonjë send të fortë. Edhe dy të rinjtë e tjerë të arrestuar kanë deklaruar se kanë qenë të pranishëm në momentin e konfliktit, por sipas tyre nuk kanë parë që 57-vjeçari të jetë goditur me çekiç.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, në afërsi të urës së Bushneshit. Tre të rinjtë, që udhëtonin me një automjet, janë konfliktuar verbalisht për motive të dobëta me viktimën, e cila po lëvizte me makinën e saj. Konflikti ka përshkallëzuar, duke përfunduar me goditjen fatale ndaj 57-vjeçarit.
Autoritetet kanë dërguar për ekspertim mostrat biologjike të të arrestuarve për të verifikuar nëse kanë qenë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike në momentin e ngjarjes. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e krimit.
