Kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Berisha: Po e shtyjnë pas Vitit të Ri! PD kërkon mbledhje urgjente të Parlamentit, Rama të mos fshihet pas fustanit të saj

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se po tenton të zvarrisë kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e shtyrë çështjen pas Vitit të Ri dhe duke shmangur me qëllim mbledhjen e Parlamentit.

Në një deklaratë të fortë për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike do të kërkojë mbledhjen urgjente të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një detyrim kushtetues dhe jo një zgjedhje politike të mazhorancës.

“Po përpiqen ta çojnë pas Vitit të Ri, madje edhe të mos mbledhin Parlamentin derisa të duan vetë. Kjo nuk do të lejohet. PD do të kërkojë mbledhjen urgjente të Parlamentit dhe kjo është taksative,” u shpreh Berisha.

Berisha: Rama të mos fshihet pas Ballukut

Kryedemokrati akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të fshihet pas zv/kryeministres së tij, ndërkohë që sipas tij, aferat korruptive nuk janë individuale, por të drejtuara nga vetë kryeministri.

“I them Ramës: mos u fshih pas fustanit të Lubi Ballukut, por dil vetë, ashtu siç je. Çfarë manovrash janë këto? Kjo është vetëm kapitulli tjetër i një afere të madhe korrupsioni,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për vonesa procedurale dhe manovra politike, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

“Është mes dy zgjedhjeve, do dorëzojë Lindën apo Belindën, por e garantoj se drejtësisë nuk do t’i shpëtojë njeri,” theksoi ai.

Akuza për përfshirje të drejtpërdrejtë të Ramës

Berisha ngriti edhe një sërë pyetjesh publike ndaj kryeministrit, duke kërkuar sqarime për disa raste të rënda që, sipas tij, lidhen me pengmarrje, dhunë, ndërhyrje në tendera dhe lidhje me krimin e organizuar.

Ai pyeti nëse Rama kishte dijeni për:

  • ndërhyrjet direkte në tendera nga persona të afërt me familjen e tij;
  • përfitimin e pothuajse 96% të tenderave nga kompani të lidhura me pushtetin;
  • raste të dhunës dhe kërcënimeve ndaj biznesmenëve për t’i detyruar të tërhiqen nga garat publike;
  • lidhjet e këtyre rasteve me grupe kriminale.

“Kjo është pamja reale e një shteti të kapur nga krimi,” tha Berisha, duke paralajmëruar se zemërimi qytetar po rritet.

Thirrje për reagim qytetar

Në fund të deklaratës, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë, duke theksuar se 22 dhjetori do të shënojë nisjen e një beteje politike dhe qytetare.

“Data 22 është fillimi i betejës që do ta fitojnë qytetarët,” përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related