Televizioni publik gjerman “ZDF Heute” i ka kushtuar një artikull protestave që vijojnë prej 44 ditësh në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas medias gjermane, protesta nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, por më pas u zgjerua duke përfshirë kërkesa më të gjera politike dhe shoqërore.
“Protestuesit po denoncojnë korrupsionin në vend, duke kërkuar reforma, zgjedhje të ndershme dhe dorëheqjen e qeverisë aktuale”, shkruan “ZDF Heute”.
Artikulli ndalet edhe te ndryshimet e vitit 2024 në legjislacionin për zonat e mbrojtura. Sipas organizatave mjedisore të cituara nga media, këto ndryshime lehtësojnë investimet në territore të mbrojtura dhe dobësojnë mekanizmat ekzistues të ruajtjes së natyrës.
“ZDF Heute” raporton gjithashtu se Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian kanë ngritur shqetësime mbi përputhshmërinë e këtyre ndryshimeve me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e natyrës.
Sipas artikullit, institucionet europiane kanë kërkuar rishikimin ose shfuqizimin e ndryshimeve në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka në procesin e negociatave për anëtarësim, veçanërisht në lidhje me Kapitullin 27 për mjedisin.
Raportimi i medias gjermane e paraqet protestën si një lëvizje që ka kaluar përtej çështjes së Zvërnecit, duke u shndërruar në një platformë më të gjerë kundër korrupsionit dhe për forcimin e institucioneve demokratike.
