Media britanike Daily Mail ka publikuar detaje të reja mbi të shkuarën e Ruben Saraiva, i dënuar me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Nga fëmijë i qetë në botën e krimit
Sipas raportimit, Saraiva është rritur në rrethinat e qeta të Londrës, në një familje portugeze të përshkruar si punëtore dhe e rregullt. Të afërmit e tij e kujtojnë si një fëmijë të qetë, të sjellshëm dhe të tërhequr.
Ai u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar në moshë të vogël dhe jetoi mes dy prindërve, në zona të ndryshme të Londrës dhe Reading.
Megjithatë, në adoleshencë ai u përfshi në aktivitet kriminal. Në moshën 17-vjeçare u kap duke shpërndarë drogë dhe më pas u dënua me kusht. Pas kësaj, ai ndoqi disa kurse profesionale, por shumë shpejt u rikthye në probleme me ligjin, duke u përfshirë edhe në një plagosje me thikë.
Lidhjet me rrjetet kriminale
Sipas familjarëve, pikërisht gjatë kohës së burgimit Saraiva dyshohet se ka krijuar lidhje me elementë të botës kriminale shqiptare.
Hetimet zbuluan se ai kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2023, vetëm pak javë para vrasjes së Nikulajt. Kamerat e sigurisë tregojnë se në aeroport ai është pritur nga Edmond Haxhia, i dyshuar si organizatori i krimit.
Frikë për jetën në burg
Sipas burimeve të cituara nga Daily Mail, Saraiva aktualisht kërkon mbrojtje të shtuar në burg, pasi ekzistojnë informacione se persona të lidhur me organizatorët e krimit kanë vendosur një shpërblim prej 500 mijë euro për eliminimin e tij, nga frika se mund të bashkëpunojë me drejtësinë.
Rrjeti i përfshirë
Prokuroria shqiptare ka identifikuar një rrjet më të gjerë të përfshirë në këtë vrasje, ku përveç Haxhias, dyshohet për përfshirjen edhe të shtetasve britanikë:
- Stephen Hunt
- Thomas Mithan
- Harriet Bridgeman
Të cilët janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Një histori që tronditi opinionin
Vrasja e Ardian Nikulajt ka qenë një nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend, duke zbuluar lidhje ndërkombëtare dhe një organizim kompleks kriminal.
Rasti vijon të mbetet në fokus të drejtësisë dhe mediave, ndërsa pritet të dalin edhe detaje të tjera mbi motivet dhe rrjetin e plotë të përfshirë.
