Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 25-vjeçarit Kevin Muharremi, i cili u qëllua për vdekje nga bashkëatdhetari i tij, 20-vjeçari Renato Xyke, në Itali.
Sipas mediave italiane dhe hetimeve paraprake, konflikti mes të rinjve ka nisur për një dëmtim të lehtë në një automjet. Debati verbal mes tyre dyshohet se është përshkallëzuar disa orë më vonë, duke çuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Muharremi ndodhej në sediljen e pasagjerit kur u godit nga tre plumba. Dyshohet se Xyke ka qëlluar disa herë drejt automjetit nga një “Range Rover Evoque” gri i errët.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit, ndërsa arma dyshohet se është lënë në Montecalvoli. Më pas ai është nisur drejt Romës së bashku me familjen.
Autoritetet italiane po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë dhe celularët e personave të përfshirë për të zbardhur plotësisht motivin dhe dinamikën e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar nëse takimi mes të rinjve ishte i rastësishëm apo i planifikuar për sqarimin e konfliktit.
