Ditën e hënë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura, si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime, kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe në zonat jugore.
Që nga orët e para të 24-orëshit e deri në orët e mëngjesit priten reshje të dobëta shiu me karakter lokal. Gjatë pjesës së dytë të ditës, kryesisht në mesditë dhe pasdite, reshjet do të vijojnë me intensitet të ulët, ndërsa në zonën qendrore nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra.
Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja graduale e reshjeve. Në zonat malore mbi 900–1000 metra lartësi, kryesisht në veri, verilindje dhe juglindje, reshjet do të jenë në formë bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga verilindja në jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 10 m/s.
Deti parashikohet i qetë, me valëzim të forcës 1–2 ballë.
