Pjesëtarë të Listës Serbe kanë marrë pjesë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke votuar në mënyrë kolektive në Mitrovicën e Veriut. Në krye të grupit ka qenë edhe kryetari i partisë, Zllatan Ellek, ndërsa votimi është zhvilluar nga qendra e qytetit.
Votimi në grup konsiderohet një praktikë e përsëritur sa herë që Lista Serbe merr pjesë në procese zgjedhore, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit publik.
Në garën për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe dy subjekte të tjera politike që përfaqësojnë këtë komunitet, duke e bërë konkurrencën më të gjerë në këtë zonë.
