Gërmimet arkeologjike në Finiq janë përqendruar në sektorin e agorasë, si dhe mbi shkallaren e teatrit antik

Data

Nga Julia Vrapi

Në parkun e Finiqit kanë rinisur gërmimet arkeologjike. Gërmimet arkeologjike po kryhen në kuadër të projektit shqiptaro-italian. Këto gërmime arkeologjike në Finiq po vijojnë në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, sipas së cilës puna këtë kohë është përqendruar në sektorin e agorasë dhe mbi shkallaren e teatrit antik. “Në javën e dytë të muajit shtator, projekti shqiptaro – italian (Instituti i Arkeologjisë së Tiranës dhe Universiteti i Bolonjës, Itali), për të 25-tin vit radhazi, rinisin gërmimet arkeologjike në parkun arkeologjik të Finiqit. Gërmimet këtë vit janë përqendruar në dy sektore, në sektorin e agorasë, ku gërmimet kanë për qëllim zbulimin e godinave dhe rrugëve kryesore të kësaj zone, si dhe në sektorin mbi shkallaren e teatrit antik, ku mendohet se ndodhen rrënojat e një monumenti me karakter religjioz”, thuhet nga DRTK Vlorë

Si përherë, gërmimet do të shoqërohen me masa paraprake konservimi, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë. Vjet në muajin shtator gërmimet arkeologjike në parkun arkeologjik të Finiqit nga projekti i përbashkët arkeologjik shqiptaro-italian u përqendruan në zonën publike të qytetit antik, aty ku në periudhën perandorake Romake mendohet të jetë zhvilluar Forumi. Në këtë park paralelisht me gërmimet arkeologjike, nga DRTK Vlorë janë kryer ndërhyrje restauruese. Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore. Parku arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës.

Qyteti antik i Foinikës mori statusin park arkeologjik kombëtar në vitin 2005. Foinikia ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur. Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Që nga fillimi i viteve 2000 në Finiq gjendet misioni arkeologjik italo-shqiptar, me specialistë nga Universiteti i Bolonjës.

Projektet e Institutit të Arkeologjisë

Ky projekt që po vijon Instituti i Arkeologjisë në parkun arkeologjik në Finiq është në vijim dhe të bashkëpunimeve për projekte të tjerë më parë me universitetet e huaja. Instituti i Arkeologjisë në vendin tonë në aktivitetin e tij u përfshi hap pas hapi në një veprimtari të gjerë kërkimore duke organizuar projekte bashkëpunimi me universitete e institucione simotra të vendeve perëndimore. Projektet shumëvjeçare të gërmimeve bashkuan përvojat e arkeologëve shqiptarë me ato të arkeologëve dhe specialistëve nga vende si Anglia, Franca, SHBA, Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Zvicra, Izraeli e Polonia në kërkimet për të gjitha fushat e arkeologjisë si për prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related