Tre punonjës të Bashkisë së Vlorës janë pezulluar nga detyra që prej datës 19 dhjetor 2025, pasi dyshohet se kanë përvetësuar karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve. Për të njëjtin rast janë marrë masa disiplinore edhe ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake.
Ngjarja është zbuluar pasi një drejtues kamioni të ushtrisë, i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe i parkuar në ambientet e pikës së grumbullimit, ka konstatuar ndërhyrje të dyshimta në mjetin e tij, duke vënë re mungesë të naftës.
Pas sinjalizimit, drejtuesit përkatës, në bashkëpunim me përgjegjësit e mjeteve ushtarake, kanë verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë. Nga kontrolli rezultoi se kamera që monitoronte zonën ku ishte parkuar kamioni ishte zhvendosur nga pozicioni i saj fillestar, duke mos mbuluar më vendin. E njëjta situatë është konstatuar edhe në një tjetër interval kohor.
Gjatë orareve kur kamerat rezultonin të spostuara, shërbimin e kishte një efektiv i Policisë Bashkiake. Në deklarimin e tij, ai ka pohuar se lëvizja e kamerave ishte bërë me kërkesë të dy punonjësve të ndërmarrjes së pastrimit, për të mundësuar furnizimin e një automjeti me naftë.
Në vijim, Policia Bashkiake ka marrë masa disiplinore ndaj efektivit për shkelje të rregullave të shërbimit, ndërsa Bashkia e Vlorës ka vendosur pezullimin nga detyra të tre punonjësve të përfshirë. Këta të fundit kanë kërkuar rikthimin në punë, por kërkesa e tyre është refuzuar deri në përfundim të verifikimeve administrative.
