Zbardhen detaje të reja nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e tenderit të Tunelit të Llogarasë. Vartësja e zv/kryeministres Belinda Balluku, Mirzeta Kashnica, ka rrëfyer para prokurorëve se është detyruar të firmosë dokumente për procedurën e prokurimit, nën trysninë e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.
Sipas dëshmisë së dhënë më 10 nëntor 2025, Kashnica deklaron se në procedurën e parë të tenderit, e cila më pas u anulua, operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i plotësonte kriteret dhe duhej të shpallej fitues. Ajo shprehet se këtë qëndrim ia ka komunikuar me email anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë.
Por menjëherë pas dërgimit të emailit, pa u mbyllur ende procesi i vlerësimit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, Kashnica është telefonuar nga Evis Berberi, i cili i ka kërkuar të mos shprehej me shkrim. Më pas, sipas saj, procedura është mbyllur dhe është vendosur anulimi i tenderit me argumentin se asnjë nga operatorët nuk ishte në rregull.
Në lidhje me procesverbalin e datës 18 mars 2021, ku u anuluan të gjitha ofertat, Kashnica deklaron se ka firmosur vetëm pas presionit të drejtpërdrejtë të Berberit. Ajo thekson se ai jo vetëm ishte anëtar i komisionit, por edhe personi që diktonte vendimmarrjen e tij.
Në procedurën e rishpallur për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, Kashnica pohon se është përballur vazhdimisht me intimidim nga anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët sipas saj kishin marrë vendimet paraprakisht mes tyre dhe ushtronin presion për të mos kundërshtuar.
SPAK deklaron se, në vijim të hetimit dhe nga përdorimi i metodave speciale, ka rezultuar se Belinda Balluku ka ushtruar presion mbi vartësen e saj edhe pasi ishte njohur me akuzat dhe ushtronte funksionin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo, sipas prokurorisë, përbën një nga arsyet kryesore për kërkesën drejtuar Kuvendit për autorizim arresti.
Ndërkohë, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ka zhvilluar një mbledhje lidhur me kërkesën e SPAK. Mazhoranca ka deklaruar se do të presë shprehjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa opozita kërkon mbledhje urgjente dhe dorëzimin e Ballukut para drejtësisë.
