Ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë nga ndërrimi i viteve, tregjet në vend po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë të shportës ushqimore, si dhe të fruta-perimeve. Në qytetin e Beratit, shumë qytetarë shprehen se po e kanë gjithnjë e më të vështirë të kryejnë blerjet e nevojshme për festat e fundvitit.
Veçanërisht të prekur janë pensionistët, të cilët thonë se me pensione prej rreth 15 mijë lekësh nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat minimale. Sipas tyre, tryeza festive këtë vit do të jetë më e varfër, pasi rritja e çmimeve i ka detyruar të heqin dorë nga shumë produkte.
Një tjetër goditje për familjet është rritja e çmimit të gjelit të detit, simbol i tryezës së fundvitit. Për shkak të kostos së lartë, shumë qytetarë kanë zgjedhur të mos e blejnë fare, duke e konsideruar të papërballueshëm.
Edhe tregtarët pranojnë se rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse. Ata thonë se shitjet kanë rënë dhe se situata është e vështirë si për konsumatorët, ashtu edhe për vetë tregun.
Në prag festash, realiteti për shumë familje, veçanërisht për të moshuarit, mbetet i zymtë, ndërsa shporta ushqimore po tkurret nga dita në ditë përballë çmimeve gjithnjë në rritje.
