Pedagogu Ervin Goci në protestë: Misioni ynë është shpëtimi i Shqipërisë

Data

Pedagogu Ervin Goci ka marrë pjesë në protestën e 40-të qytetare në Tiranë, ku ka folur për qëllimet e lëvizjes dhe ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve.

Goci u shpreh se shumë prej qytetarëve që marrin pjesë në protestë përballen me vështirësi të përditshme, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, janë etiketuar nga përfaqësues të mazhorancës.

“Ndoshta 60–70 për qind e atyre njerëzve kanë halle madhore, por kur dëgjon kryeministrin apo deputetët të tallen, t’i denigrojnë, t’i quajnë iranianë apo agjentë, kupton që jo vetëm nuk kanë ndjeshmëri, por e kanë ndarë mendjen ta sulmojnë qytetarin shqiptar,” u shpreh ai.

Sipas pedagogut, protesta ka si objektiv ndryshimin politik dhe shoqëror në vend.

“Kjo protestë ka një mision: shpëtimin e Shqipërisë. Rama është një pengesë që do ta kalojmë. Në kuptimin literal të fjalës, kjo protestë synon të fshijë këtë klasë politike,” deklaroi Goci.

Ai komentoi edhe financimin e koncertit të Kanye West, duke e cilësuar si një tjetër projekt që, sipas tij, nuk i përgjigjet prioriteteve të qytetarëve.

“Koncertin e kam quajtur koncesionin e radhës. Populli shqiptar është përballë një klike, por e ka kuptuar se kjo klasë politike duhet të largohet dhe t’i hapet rrugë një horizonti të ri, një Shqipërie të re,” tha ai.

Protesta e 40-të kundër qeverisë po vijon në kryeqytet, ku qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë nisur marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related