Kryeministri Edi Rama ka komentuar mungesën pesëditore të ujit të pijshëm në Vlorë gjatë konferencës së tij vjetore për mediat, duke e cilësuar situatën si të rëndë, por duke ia faturuar problemet investimeve të së shkuarës dhe opozitës.
Sipas Ramës, defekti ka ardhur si pasojë e pajisjeve jashtë standardeve, të instaluara vite më parë, të cilat nuk e kanë përballuar më presionin.
“Pajisjet mbajtën-mbajtën dhe plasën. Problematika e ujësjellësit është kjo”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se ndërhyrja u bë e mundur falë punës së punëtorëve në terren dhe sigurimit të pjesëve të reja nga Turqia, çka solli edhe riparimin e defektit pas disa ditësh ndërprerje totale të furnizimit me ujë.
Rama pranoi se sistemi i ujësjellësit në Vlorë dhe në të gjithë vendin është ende problematik, duke e krahasuar situatën me gjendjen e sektorit energjetik në momentin kur qeveria aktuale mori pushtetin.
“Ujësjellësi është sektor në reformim e sipër. E kemi gjetur më keq se energjia”, tha ai, duke kërkuar durim nga qytetarët.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pas protestave dhe reagimeve të forta të banorëve të Vlorës, të cilët u përballën me mungesë totale të ujit edhe në ditët e festave, duke e kthyer krizën në një çështje të fortë debati politik dhe social.
