Numri i emigrantëve të parregullt që hynë në vendet e Ballkanit me synim për të kaluar drejt vendeve europiane gjatë vitit 2024 ishte 78% më pak se viti 2023, sipas të dhënave vjetore të publikuara nga Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.
Rreth 21 mijë emigrantë të parregullt kryesisht nga Siria, Turqia dhe Afganistani u ndaluan nga policitë kufitare në të ashtuquajturën “Rruga ballkanike” e kalimit të emigrantëve që përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave dhe Shqipëria.
Ndërkohë, sipas të dhënave vjetore të FRONTEX-it pavarësisht presionit të vazhdueshëm të emigracionit, bashkëpunimi i vendeve të Bashkimit Europian dhe partnerëve kundër rrjeteve të kontrabandës ka reduktuar me 38% krahasuar me vitin 2023 kalimet e emigrantëve të parregullt në kufijtë e jashtëm të Evropës.
