Muaji janar ka sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të pacientëve në Shërbimin Infektiv, kryesisht me simptoma gripale dhe viroza sezonale. Mjekët bëjnë me dije se situata është nën kontroll dhe se po trajtohet sipas protokolleve standarde.
Mjekja infeksioniste Migena Qato thekson se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virusin Nipah në Shqipëri, pavarësisht rasteve të raportuara së fundmi në Indi. Ajo shton se Shërbimi Infektiv ndodhet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.
Sipas saj, virozat dhe gripi janë diagnozat më të shpeshta që paraqiten në urgjencat infektive, me rreth 100 raste në ditë edhe gjatë shërbimeve 24-orëshe. Pacientët i përkasin grupmoshave të ndryshme, nga mbi 14 vjeç deri te moshat e treta, të cilat mbeten edhe grupet më të rrezikuara për komplikacione për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Simptomat variojnë nga forma të lehta, si temperaturë dhe dhimbje muskulare, deri në raste më të rënda që shoqërohen me komplikacione, kryesisht bronkopneumoni, të cilat kërkojnë hospitalizim dhe kujdes të shtuar mjekësor. Rreth 30–40% e rasteve që paraqiten në urgjencë vlerësohen si kandidatë për shtrim në spital.
Mjekja nënvizon se vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme mbrojtëse, pasi pacientët e vaksinuar ose nuk paraqiten fare në urgjencë, ose e kalojnë gripin me simptoma shumë të lehta. Sipas saj, nuk ka vend për panik, pasi nuk është konstatuar asnjë rast i virusit Nipah në vend apo në rajon.
“Duhet të jemi të qetë, por vigjilentë. Nëse do të shfaqen raste, sistemi shëndetësor është i përgatitur për t’i përballuar”, thekson Qato, duke apeluar për kujdes personal, konsultim me mjekun dhe shmangie të vetë-mjekimit.
