Analisti Andi Bushati ka denoncuar ashpër mënyrën se si institucionet e drejtësisë po trajtojnë çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar atë si një nga episodet më të errëta dhe më të turpshme të historisë së drejtësisë së re.
Në një intervistë televizive, Bushati u shpreh se, pavarësisht se është faktuar se gjyqtarja ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe se procesi i vetingut të saj është i pavlefshëm, institucionet po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në detyrë, duke u sjellë sikur faktet nuk ekzistojnë.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një rast ku drejtësia është shndërruar në instrument politik, në shërbim të pushtetit. Bushati theksoi se minimumi që gjyqtarja kishte detyrimin ligjor të bënte ishte deklarimi i dënimit të saj në Greqi, pavarësisht rrethanave apo justifikimeve të mëvonshme.
“Krimi nuk është vetëm ai që ka ndodhur në kufirin shqiptaro-grek, por edhe gënjeshtra e bërë gjatë procesit të vetingut. Kjo tashmë është e provuar dhe e konfirmuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por institucionet sillen sikur nuk shohin asgjë”, u shpreh Bushati.
Ai kritikoi ashpër edhe qëndrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kujtuar se në fillim u mbrojt gjyqtarja me argumentin e pavarësisë së gjyqësorit, ndërsa sot, kur faktet janë zyrtarisht të konfirmuara, mbizotëron heshtja dhe mosveprimi.
Sipas Bushatit, arsyeja pse kjo situatë zvarritet lidhet me përdorimin e Irena Gjokës si një “instrument” të drejtësisë së re, veçanërisht në çështje që prekin opozitën. “Ky rast shërben si mesazh se ata që i shërbejnë pushtetit nuk braktisen, edhe kur faktet janë kokëforta”, theksoi ai.
Në përfundim, analisti nënvizoi se ky skandal nuk dëmton vetëm opozitën, por godet drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te drejtësia, duke e kthyer reformën në drejtësi në një mekanizëm mbrojtës për pushtetin dhe jo në një garanci për ligjin.
