Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta lidhur me takimin e zhvilluar një ditë më parë në Elbasan nga deputeti Ervin Salianji, duke deklaruar se pas tij qëndronte në prapaskenë emri i Suel Çelës.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se ka informacione të shumta që tregojnë se takimi është organizuar nga Suel Çela, të cilin ai e cilësoi si një nga figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Elbasan dhe më gjerë.
“Ne kemi informacione, jo një por disa, që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori në hije i këtij takimi. Bashkëpunimi me krimin është vija ime e kuqe dhe kjo vijë nuk kapërcehet kurrë,” deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij politike, edhe në momentet më të vështira, nuk ka bërë asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe se kjo mbetet parimi i tij themelor politik.
“Në të gjithë karrierën time politike nuk kam bërë kurrë kompromis me krimin. Kjo ka qenë dhe mbetet vija ndarëse e Sali Berishës. Kush e kapërcen këtë vijë është përgjegjës vetëm për veten e tij,” u shpreh ai.
Berisha e cilësoi të papranueshme që një anëtar i kryesisë apo i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të përfshihet në organizime të tilla, duke e quajtur këtë një shkelje të rëndë të parimeve të PD-së.
“Që një anëtar i korruptuar i kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të organizojë takim me Suel Çelën, kreun e një karteli të fuqishëm kriminal, është absolutisht e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet kurrë,” tha Berisha.
Ai përshëndeti gjithashtu strukturat e Partisë Demokratike në Elbasan, të cilat sipas tij e bojkotuan takimin, duke treguar qartë refuzimin ndaj çdo tentative për bashkëpunim me krimin.
“Përshëndes strukturat e PD Elbasan që e bojkotuan me neveri një takim të tillë. Kjo është prova se Partia Demokratike ka ende imunitet moral ndaj krimit,” përfundoi Berisha.
