“Nëse Parlamenti bllokon SPAK-un, do ketë përballje” – Berisha: Kjo betejë nuk ndalet më!

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një përballje të fortë politike dhe qytetare në rast se mazhoranca socialiste bllokon në Kuvend kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, çka do t’i hapte rrugë arrestimit të saj.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëjë opozita nëse Partia Socialiste përdor votat për të penguar drejtësinë, Berisha u shpreh se PD nuk do të ndalet dhe se do të veprojë së bashku me qytetarët për ta çuar çështjen deri në fund.

“Opozita do të bëjë gjithçka, bashkë me qytetarët, që ky grup të bëhet përgjegjës para ligjit. Kjo betejë nuk ndalet më deri në largimin e këtij regjimi dhe vendosjen e votës së lirë,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, Parlamenti po përgatitet të veprojë njësoj si Gjykata Kushtetuese, duke u shndërruar në një mburojë politike për qeverinë dhe duke bllokuar drejtësinë.

“Gjykata Kushtetuese i dha licencë qeverisë për të vjedhur sa të mundet. Të njëjtën gjë pritet të konfirmojë edhe Parlamenti. Kjo është asgjësim i drejtësisë dhe goditje ndaj shtetit ligjor,” u shpreh ai.

Berisha theksoi se nëse mazhoranca refuzon dorëzimin e Ballukut para drejtësisë, përgjegjësia politike dhe morale do të jetë e plotë dhe përballja do të jetë e pashmangshme.

“Edhe mundësinë e fundit për të luftuar korrupsionin po e shkatërrojnë. Nëse e mbytin SPAK-un, do të përballen me reagimin e qytetarëve,” tha kryedemokrati.

Një ditë më parë, SPAK i ka drejtuar zyrtarisht Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, duke hapur rrugën për masa më të ashpra sigurie ndaj saj. Të premten pritet të mblidhet Komisioni i Mandateve për shqyrtimin e kërkesës.

Në këtë klimë të tensionuar politike, opozita ka paralajmëruar se data 22 dhjetor do të shënojë fillimin e protestave kundër asaj që Berisha e cilëson si “shtet i kapur nga krimi dhe korrupsioni”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related