Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë prokurorin e prokurorisë së Gjirokastrës, Arian Muçaj.
Sipas njoftimit për mediet, trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, Valbona Sanxhaktari relatore, Olsi Komici anëtar, njoftuan këtë të enjte vendimin që konfirmon në detyrë prokurorin Arian Muçaj, i cili mban pozicionin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastrës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se “pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 26.3.2024, për subjektin e rivlerësimit, Arian Muçaj, bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit Arian Muçaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër”.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, znj. Valbona Sanxhaktari relatore, Olsi Komici anëtar do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.


