Autoriteti i Konkurrencës mbylli këtë muaj hetimin e thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë) ndaj ndërmarrjeve Erzeni, Gjirofarma, ADG (Lufra) dhe Shaka Boboshticë.
Nga hetimi nuk janë gjetur evidenca direkte dhe indirekte të bashkëpunimit midis ndërmarrjeve dhe nuk janë vërejtur shenja të një marrëveshje ose sjellje të bashkërenduar midis tyre, sipas parashikimeve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Gjithashtu, duke marrë parasysh kriteret e vlerësimit të pozitës dominuese, si pjesën e tregut të ndërmarrjeve, barrierat për hyrjen në treg, konkurrencën potenciale, fuqinë kundërvepruese të blerësve, fuqinë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve, rezulton se nuk ka ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun përkatës.
Pavarësisht këtyre konkluzioneve, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se problematikat e ndeshura gjatë hetimit kërkojnë marrjen e disa masave nga institucionet përkatëse.
Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të përforcojë rolin e tij për zbatimin me rigorozitet të kontrolleve përsa i përket cilësisë dhe parametrave mikrobiologjikë të qumështit si lëndë e parë.
